Rënia e ndjeshme e euros ndaj lekut nuk e ka ndalur rritjen e vrullshme të eksporteve. Instituti i Statistikave raportoi se muajin e kaluar kompanitë shqiptare eksportuan 30.1 miliardë lekë mallra në tregjet e huaja, ose 24.2 për qind më shumë krahasuar me majin e vitit 2017.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se maji është muaji i pestë rresht që eksportet shënojnë rritje dyshifrore. Në total si pesëmujor, për periudhën janar maj 2018 Shqipëria ka eksportuar 131 miliardë lekë ose gati 1.1 miliardë euro mallra në tregjet e huaja me një rritje prej 18.4 për qind krahasuar me pesëmujorin e parë të 2017-ës.

Të dhënat e detajuara të INSTAT tregojnë se ecuria pozitive e eksporteve është udhëhequr nga grupi i produkteve minerare, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike. Por me rritje janë edhe eksportet e industrisë së fasonit si dhe materialet e ndërtimit.

Kompanitë shqiptare që punojnë për eksport janë përballuar këtë vit me një kurs të pafavorshëm këmbimi. Për pesë muajt e parë të vitit euro ka rënë me gati 7 për qind duke ulur në të njëjtën masë vlerën në lekë të eksporteve. Por ky efekt negativ i kursit jo vetëm që është kompesuar plotësisht, por është tejkaluar për shkak se eksportuesit kanë rritur vëllimin e shitjeve në tregjet e Bashkimit Europian duke përfituar edhe nga situata e mirë që po kalon ekonomia europiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA