Portieri egjiptian, Mohamed El-Shenawy ka refuzuar të marrë trofeun e “lojtarit më të mirë të ndeshjes”, në përfundim të takimit mes Egjiptit dhe Uruguajit të luajtur më 16 qershor në kuadër të Botërorit të Rusisë. Arsyeja e refuzimit? Në trofe ishte edhe logoja e “Budweiser”, sponsor i këtij çmimi, por që duke qenë pije alkoolike bie ndesh me besimin e tij fetar.

Sipas Marwan Ahmed, i cili punon për një faqe sportive egjiptiane “KingFut”, El-Shenawy refuzoi çmimin vetëm për shkak të sponsorizuesit “Budweiser”, pasi duke qenë mysliman, besimi i tij ia ndalon konsumin e pijeve alkoolike.

Trofeu në fakt nuk ka aspak lidhje me pijen alkoolike, përveçse është prodhuar në formën e një gote birre dhe mban emrin e sponsorit zyrtar, “Budweiser”.

Ahmed, i cili publikoi në “Twitter” momentin e refuzimit të portierit për të marrë trofeun nga personi i ngarkuar me detyrën për t’ia dorëzuar, i kërkon madje FIFA-s që të zgjidhë këtë problem, duke qenë se në kompeticionin që po zhvillohet në Rusi ka edhe pjesëmarrëse të tjera si Irani, Arabia Saudite dhe Senegali, të gjitha këto vende myslimane.


Edhe figura tejet të shquara të futbollit botëror, si Paul Pogba i Francës, apo Mesut Ozil i Gjermanisë janë besojnë gjithashtu në fenë Islame, e normalisht duhet të mos e pranojnë këtë vlerësim nëse u jepet, një trofe prej bronzi. Gjithsesi, mbetet ende për t’u parë nëse diçka e tillë do të ndodhë edhe me ta.

Egjipti humbi ndeshjen e parë me Uruguajin 0-1, me golin e shënuar nga Jose Gimenez në minutën e 89, por portieri egjiptian la mbresa me pritjet e tij e për këtë arsye u vlerësua si “lojtari i ndeshjes”. Një vlerësim që i mbetet atij, pavarësisht nëse do ta pranonte apo jo marrjen e trofeut.

Top Channel