CAS-i nuk i dha dritën jeshile Skënderbeut për të marrë pjesë në Champions League dhe nën efektin “domino”, Partizani fitoi të drejtën për të qenë në Europa League. Të kuqtë kanë nisur menjëherë stërvitjen sepse koha nuk premton, pasi sfida e parë do të luhet në më pak se një muaj.

Lajmi kryesor në seancën e parë përgatitore është zyrtarizimi i divorcit me Klevis Dalipin. Tekniku 42-vjeçar, i cili e drejtoi skuadrën në muajt e fundit të sezonit të shkuar, nuk do të vijojë të jetë në krye të demave, madje do të shkëputet përfundimisht nga Partizanit, duke mos pranuar asnjë rol tjetër.

Deri në emërimin e timonierit të ri, skuadra do të drejtohet nga trajneri i Partizanit B, Genc Mahmutaj, ndërkohë që është mbyllur përfundimisht edhe aventura e Blerim Kotobellit me 15 herë kampionët. Klubi ka vendosur të mos ekzekutojë opsionin “plus një” në kontratën e 25-vjeçarit, i cili mund të konsiderohet nga sot një lojtar i lirë.

Lorenc Trashi ishte i pranishëm, pavarësisht se ka shprehur dëshirën për t’u larguar jashtë Shqipërisë. Disa fytyra të reja ishin të pranishme në stërvitjen e parë të kryeqytetasve. Tre afrikanët e Egnatias në sezonin e shkuar i janë bashkuar të kuqve, me konkretisht mesfushori 19-vjeçar Henry Amos, po ashtu si Beji Anthony 18 vjeç dhe sulmuesi 19-vjeçar Akbodike.

Të tre lojtarët në fjale ende nuk kanë nënshkruar kontratën, por janë në bisedime me drejtuesit. Një tjetër lojtar vinte nga Kategoria e Parë, pikërisht Eneo Bitri i Tomorit, edhe ky në një moshë të re, vetëm 21 vjeç.

Ajo që ra në sy ishte mungesa e Alban Hoxhës, ndërsa Edgar Çani, megjithëse është nën kontratë, ende nuk e ka vendosur se cila do të jetë e ardhmja e tij. Në ditët në vazhdim pritet që grupit t’i bashkohen edhe Abdurrahimi, Jasir Asani, Gojkoviç e Ramadani.

Top Channel