Të paktën 10 mijë persona janë duke kaluar pushimet në Ksamil përgjatë 2 javëve të para të qershorit.Qyteza që ofron disa mes plazheve më të bukura të bregdetit jonian si dhe magjinë e ishujve ka shtuar këtë vit rreth 500 apartamente që e çojnë kapacitetin total akomodues në rreth 13 mijë shtretër.

Agim Çeliku banor i hershëm i Ksamilit thotë se këtë vit të gjithë po ndërtojnë e restaurojnë. 40 për qind e banorëve jetojnë prej turizmit që është masiv vetëm për 3 muaj. Agimi ka disa dhoma që i lëshon me qira për pushuesit. Ai thotë se është optimist dhe se sezoni ka nisur më herët këtë vit.

Ferit Muça, një tjetër banor i Ksamilit thotë se përpjekjet janë vetëm prej sipërmarrjeve private dhe mungojnë plotësisht ndërhyrjet tek mjedisi publik. Edhe Feriti që akomodon pushues prej vitesh në banesën e tij, thotë se qershori duket se ka rezervime 20-30 për qind më të larta se viti i kaluar, ndërsa çmimet nuk kanë ndryshuar.

Pushuesit flasin për kushte të mira, çmime të favorshme, por promocion të ulët jashtë. Ukrainasit zënë peshën kryesore mes turistëve nga Europa Lindore. Aleksander Bablf ka ardhur për herë të tretë në Shqipëri për pushime, këtë vit me një numër të madh miqsh. Në Ksamil disa hotele janë marrë me qira nga shtetas ukrainas dhe nuk janë të paktë ata që dëshirojnë të çelin një biznes sezonal në rivierë.

“Jam këtu për vitin e tretë radhazi. Shqipëria ishte një zbulim i madh dhe çdo vit duket edhe më mirë. Nuk ka shumë ndryshim në çmime krahasuar me vitin e kaluar, ushqimi është shumë i mirë dhe kam shumë miq këtu. Shqiperia sapo është zbuluar prej ukrainasve dhe besoj se do të ketë shumë vizitorë”, deklaron ALeksander Bablf.

Plazhet e vendosura vetëm pak kilometra në Jug të qytetit të Sarandës dhe shumë pranë Parkut Kombëtar të Butrintit i lejojnë pushuesve akses të lehtë për këto dy destinacione të jetës së mbrëmjes dhe turizmit kulturor.

Butrinti, Kalaja e Lëkurësit, kisha e Mesopotamit dhe parku i Finiqit mbeten edhe këtë vit destincionet më të vizitueshme përreth Sarandës e Ksamilit.

Vitin e kaluar Ksamili u vizitua nga rreth 130 mijë pushues përgjatë gjithë sezonit, ndërsa së bashku me Sarandën numri shkoi në rreth 900.000 vizitorë. Por, sipas statistikave vetëm 30 për qind e pushuesve kanë kohëqëndrim më të lartë se 4 ditë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA