Kreu i opozitës greke Kyriakos Mitsotakis ka dorëzuar sot në parlament një mocion mosbesimi për qeverinë e kryeministrit Aleksis Tsipras.
“Qeveria ka humbur prej kohësh besimin e popullit grek dhe nuk është në gjendje të mbrojë interesat kombëtare”, ka thënë kryekonservatori Mitsotakis duke iu referuar marrëveshjes për emrin e Maqedonisë, të cilën e quajti të dëmshme për vendin.
Seanca 3-ditore ka filluar mbrëmjen e së enjtes dhe do të përfundojë ditën e shtunë në darkë. Mocioni i mosbesimit do të pranohet vetëm nëse aprovohet nga të paktën 151 prej 300 deputetëve të parlamentit grek, ndërkohë që partitë aleate në qeveri, Syriza dhe Grekët e Pavarur kanë një shumicë prej 153 deputetësh.
Nëse nuk kalon dhe për këtë kryeministri Tsipras është i sigurt, opozita nuk do të ketë të drejtë të sjellë përsëri një mocion të ri për 6 muaj.
Mitsotakis ka dorëzuar mocionin e mosbesimit pas seancës së fundit të katër ditëve të diskutimeve, kur parlamenti aprovoi me shumicë votash projektligjin me parakushtet për mbylljen e vlerësimit të fundit të programit grek të reformave, pas rreth 9 vitesh të krizës ekonomike që kaloi vendi.
Top Channel