Për herë të parë një festival foli edhe me gjuhën e shenjave. Festivali i 32 i këngës për fëmijë në Elbasan solli tekstet e këngëve dhe interpretimet e vogëlushëve, edhe me gjuhën e shenjave për të gjithë ata fëmijë me aftësi ndryshe.

“Duhet me patjetër që mesazhet e bukura dhe evenimentet e kësaj natyre të bëhen më të aksesueshme edhe për fëmijët me aftësi ndryshe”, deklaron mësuesja Darina Prifti.

Aleksandra Panganika e adhuron gjuhën e shenjave, por emocioni i saj përpara publikut që kishte mbushur sallën e teatrit “Skampa” ishte i jashtëzakonshëm.

“Është një gjuhë që e kam dashuruar prej kohësh dhe fakti që po interpretoj përpara një publiku kaq të madh është goxha emocionues. Është ndër herët e para që dal në skenë”, tregon ajo.

Me këngën “Bota ime, bota jote” Sergita Varfi fitoi festivalin e 32-të për fëmijë në Elbasan, ndërsa për udhëheqësin artistik Liman Koxha talentet e fëmijëve janë impresionuese.

Në finalen e madhe të festivalit u interpretuan 14 këngë, të cilat u përzgjodhën nga nata e parë si interpretimet më të mira.

Top Channel