Komiteti i Maturës Shtetërore 2018 ka penalizuar 11 maturantë të cilët kanë qenë të pajisur me telefona celular në provimin e matematikës që u dha më 13 qershor.
Konkretisht, nga procesi i monitorimit gjatë zhvillimit të testimit, ka rezultuar se 11 nxënës maturantë, kanë qenë të pajisur me aparate telefoni celular, përkatësisht në:
DAR Gjirokastër: 1 nxënës.
DAR Kukës: 6 nxënës.
DAR Tiranë: 2 nxënës.
ZA Kurbin: 2 nxënës.
Nga shqyrtimi i këtyre rasteve, njofton MASR, rezultoi se 5 administratorë nuk identifikuan maturantët me celularë të cilët, u identifikuan nga monitoruesit e MASR.
Në qendrën e provimit, Filiali i Universitetit Dibër, drejtori i gjimnazit “Said Najdeni”, Shefki Çorja, me veprimet dhe mos veprimet e tij dhe në shkelje të etikës, me detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të institucionit, ka penguar krijimin e kushteve normale për zhvillimin e provimit në këtë qendër.
Për këtë u vendos përjashtimi dhe mosnjohja e rezultatit për 11 nxënësit maturantë që u konstatuan me aparate celularë në mjediset e provimeve.
Ndërsa për sa i përket shkeljeve të konstatuara të drejtorit të shkollës Çorja, Komiteti i Maturës Shtetërore mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore, vendosi t’i kërkojë Drejtorisë Arsimore Rajonale Dibër, zgjidhjen e menjëhershme të kontratës.
Për 5 administratorët që kanë shkelur rregulloren e Maturës Shtetërore do të merren masa disiplinore deri në largim nga puna.
Top Channel