Ilaçe kontrabandë, “Medikamenti” vë në pranga administratorin dhe farmacisten

14/06/2018 09:35

Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy farmacistë dhe ka sekuestruar një sasi prej 520 ilaçesh dhe produkte farmaceutike kontrabandë.

Në sajë të operacionit të koduar “Medikamenti” janë arrestuar Julian Ll., 40 vjeç, me detyrë administrator farmacie, dhe E. P., 29 vjeçe, me detyrë punonjëse farmacie.

Gjithashtu, është shpallur në kërkim dhe po punohet për ndalimin e A. P., 66 vjeçe, me detyrë drejtuese teknike e farmacisë.

Këta persona në një pikë farmacie në rrugën “Kongresi i Manastirit”, tregtonin dhe shisnin produkte farmaceutike kontrabandë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit”.

Top Channel