Me dy vota pro, dhe me votën kundër të relatores Xhensila Pine, Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës Kushtetuese e kaloi sprovën e vettingut.
Por pavarësisht fitores, avokati mbrojtës shfaqi rezerva për standardin si u zhvillua seanca dëgjimore. Sipas mbrojtjes, Bashkim Dedjes që është në mandatin e tij të dytë në këtë detyrë, gjatë procesit iu cenua imazhi i kryegjyqtarit kushtetues.
Me flagrantja është publikimi i fakteve të pakontrolluara mirë nga KPK, të tilla si ajo e vëllait të Dedjes që pavarësisht çfarë u tha në gjykim, rezulton se nuk ka marrë kredi 40 mijë euro. Gjithashtu rezulton se ai kishte mundësi t’i jepte hua 15 mijë euroshe të vëllait gjyqtar.
“Mbasi mbaroi seanca kontaktuam me vëllain e zotit Bashkim që tha në jetën time nuk kam marrë asnjë kredi. Është detyrë e gjithë stafit dhe personelit verifikues që ti shkojë deri në fund, nuk duhet të mjaftohet vetëm me faktin që del një person me këtë emër e këtë mbiemër”, tha avokati Maks Haxhia.
Është kjo arsyeja se përse avokati depozitoi të dhëna të reja në KPK që me sa duket ndikuan në vendimmarrje.
Kritika e dytë e avokatit ishte ndaj relatores që komentoi gjatë seancës, mbi huanë e marrë nga kunati, një provë kjo për të cilën Bashkim Dedja nuk ishte vendosur në dijeni gjatë gjykimit me e-mail.
“Të gjitha janë vënë, kjo nuk ishte vënë. Do të thotë që në këtë pikë ka ceduar”, tha Haxhia.
Deri me tani kanë kaluar vetëm dy gjyqtarë kushtetues, ndërsa 3 të tjerë kanë mbetur. Prej muajsh Gjykata Kushtetuese gjendet në pikën më të zezë të historisë së saj.
Top Channel