Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova synon anëtarësimin në NATO si dhe daljen në ndihmë secilit që ka nevojë. Këto deklarata Haradinaj i ka bërë pas zbulimit të memorialit për ushtarët e KFOR-it, që kanë humbur jetën në Kosovë.
Haradinaj ka thënë se Kosova dhe populli i saj do të jenë përjetësisht mirënjohës ndaj atyre që dhanë jetën për të siguruar paqe dhe stabilitet në këtë vend.
“Kosova synon anëtarësimin në NATO për të ndihmuar jo vetëm veten dhe rajonin, por këdo që ka nevojë. Kosova është e gatshme që të kontribuojë për sigurinë dhe paqen në botë. Ky memorial është një shenjë për këtë”, tha Haradinaj.
Zëvendësi i ndihmës-sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, John Manza, në emër të Sekretarit të Përgjithshëm, ka falënderuar popullin e Kosovës, për ndërtimin e këtij memoriali në qendër të Prishtinës.
Gjenerali i KFOR-it, Salvatore Cuoci në ceremoninë e zbulimit të pllakatës së 157 ushtarëve të KFOR-it, që humbën jetën gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se institucionet e këtij vendi po i nderojnë ushtarët e KFOR-it, duke u ndërtuar një memorial që shërben si kujtesë e përhershme e atyre që u flijuan për Kosovën.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rustem Berisha, ka thënë se 12 qershori do të mbetet në historinë e Kosovës si dita e shpresës dhe dita kur vendit i është ofruar bindja se nuk është vetë.
Memoriali është ngritur në shenjë respekti për ushtarët e KFOR-it që kanë vdekur nga viti 1999, kur NATO hyri në Kosovë. Rreth 160 ushtarë të vendeve anëtare dhe jo anëtare të NATO-s kanë vdekur në 19 vjetët e fundit, kryesisht në aksidente.
Top Channel