Qeveria gjermane ende nuk ka marrë një vendim për hapjen e negociatave me Shqipërinë, por Christian Lange, Sekretar Parlamentar i Shtetit në Ministrinë e Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, thotë se Berlini do të shprehet në kohë për takimin e Këshillit Europian, programuar për më 28 qershor.
Në Ekzekutivin Federal të Gjermanisë, Lange është në rangun e një zëvendësministri të Drejtësisë. Në takimin që pati me gazetarët në Tiranë, ai mohoi kur u pyet nëse çështja Tahiri është kusht për të marrë PO-në e Berlinit zyrtar.
“Nuk është e zakonshme që rastet e veçanta të kthehen në kusht për projektet europiane”, u shpreh Christian Lange, Sekretar Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Lange është edhe deputet në Bundestagun gjerman. Ai u distancua nga deklaratat e numrit dy të grupit parlamentar të CDU-CSU-së, Ëaderphul, që duke e gjykuar ministrin e Brendshëm Xhafaj në kushtet e konfliktit të interesit, kërkoi largimin e tij.
“E kam dëgjuar deklaratën e kolegut. Gjermania nuk e ka tradite të mbajë qëndrim për çështje të brendshme të vendeve të tjera dhe kjo deklarate më ka surprizuar. Më duhet t’ju them se nuk është praktikë e Gjermanisë që të mbajë qëndrim për çështje të politikave të brendshme të shteteve”, thotë Christian Lange.
Ai vuri theksin te lufta ndaj korrupsionit, fenomen për të cilin tha se i janë ankuar edhe investitorët gjermanë në Shqipëri.
“Ka ende punë për të bërë dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë sidomos në luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni mban peng te gjitha shtetet demokratike dhe duhet të jetë në qendër të betejës. Ai lufton demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Investitorët gjermanë që takova më sollën në vëmendje që problemi kryesor që kanë është korrupsioni”, shprehet Lange.
Sekretari gjerman i Shtetit në Ministrinë gjermane të Drejtësisë, mbrojti reformën në drejtësi, duke theksuar se në një fazë kalimtare është normale që të dalin edhe pengesa. Për Berlinin, reforma në drejtësi është i vetmi kusht theksoi Christian Lange, ndërsa kërkoi që Vettingu jo vetëm të vazhdojë për të ecë me ritëm më të shpejtë.
Top Channel