Gjermania ka mbërritur në Rusi për Botërorin e këtij viti, ku do të kërkojë të mbrojë titullin e fituar përpara 4 vitesh në Brazil.

Vatutinki do të jetë vendi i akomodimit të skuadrës së Joakim Low, e cila ka zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore. Futbollistët gjermanë u shfaqën të qetë dhe optimistë pavarësisht dyshimeve që u krijian pas ndeshjeve të fundit miqësore me Austrinë dhe Arabinë Saudite.

Problem për skuadrën 4 herë kampione të botës mbeten Mesut Ozil dhe Ilkay Gundogan për shkak të takimit dhe fotografive të kryera me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, madje i dhuruan këtij të fundit edhe fanela me autografë.

Gundogan arriti deri aty sa e quajti atë si Presidenti i tij. E gjithë kjo histori shkaktoi një pakënaqësi të madhe sidomos te tifozët, të cilët kërkuan përjashtimin e tyre nga kombëtarja, madje arritën deri aty sa edhe t’i fërshëllenin në ndeshjet e fundit. Vetë kancelarja Angela Merkel deklaroi se Ozil e Gundogan nuk ishin të ndërgjegjshëm për kaosin e krijuar në përfaqësuese.

Gjermania është në Grupin F të Botërorit së bashku me Meksikën, Suedinë dhe Korenë e Jugut. Ndeshjen e parë kampionia e botës do ta luajë në 17 qershor ndaj Meksikës, më pas ajo do të luajë me Suedinë, për ta mbyllur fazën e grupeve me sfidën ndaj Koresë së Jugut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA