“Fiks Fare” denoncoi të mërkurën rastin e një që ka rënë pre’ e mashtrimit, pasi në mirëbesim i ka shitur tokën një të njohuri.
Por, ky i fundit, jo vetëm që nuk i ka dhënë lekë qytetarit, por tokën e marrë me letra e ka lënë peng në bankë, duke marrë një kredi, që edhe këtë nuk e ka paguar. Kështu, qytetari ka mbetur pa lekë dhe pa pronë, ndërkohë që prokuroria nuk hap çështje penale për mashtrimin, duke deklaruar se çështja zgjidhet në gjykatë.
Qytetari Myrto Myrto nga Lushnja tregon për “Fiks Fare” se historia zë fill në vitin 2005, kur i ka shitur tokën të njohurit Tonin Gjoni, pasi ky i fundit i ka thënë se aty do të ndërtonte një biznes. Por, ai jo vetëm që nuk ndërtoi biznes, por nuk i dha as paratë për tokën. Por, ai nuk e dinte se kishte rënë pre’ e mashtrimit, derisa banka erdhi të sekuestronte tokën, sepse qytetari Tonin Gjoni sapo kishte marrë me letra tokën e Myrtos, e kishte lënë peng në bankë për kredi. Edhe kredinë nuk e kishte shlyer, kështu që banka kishte sekuestruar kolateralin.
Në këto kushte, Myrto vihet përballë bankës dhe blerësit të tokës. Gjatë procesit gjyqësor, në vitin 2013, Tonin Gjoni pranon mashtrimin dhe firmos një kontratë huamarrjeje. Gjoni i thotë Myrtos se do ia paguante paratë, rreth 40 mijë euro. Prapë, ai nuk paguan borxhin, duke e mbajtur me mashtrime Myrton. Myrto i bën edhe kallëzim penal, por prokuroria e pushon me argumentin se mund ta zgjidhin çështjen në gjykatë. Myrto ka kërkuar edhe ndihmën e përmbarimit për të marrë paratë, por nuk ia arrin dot, pasi rezulton se Gjoni nuk ka asgjë në pronësi të tij. Ai thotë se paratë nuk po i merr dot, tokën po ia merr banka, ndërsa mashtruesi nuk dënohet.
Për këtë arsye, “Fiks Fare” pyeti edhe përmbaruesin se çfarë ka ndodhur konkretisht. Përmbaruesi shpjegoi për Fiksin se Myrto Myrto ka të drejtë, por Tonin Gjoni nuk ka asnjë pasuri në emër të tij. E vetmja pasuri që ka, është një godinë 5-katëshe që është në proces legalizimi, por që me dashje e shtyn legalizimin, pasi do i sekuestrohet. Në këto kushte nuk i sekuestrohet, pasi ende nuk i ka kaluar në pronësi.
Qytetari takoi edhe borxhliun, i cili sërish premton se do i japë lekët, pasi ai po mundohet ta shesë, ende pa bërë letrat e legalizimit me qëllim që mos t’ia sekuestrojë banka.
Pra, pavarësisht se ai e pranon që ka marrë paratë dhe nuk i shlyen, ai tenton të kryejë edhe të gjitha veprimet që të shmanget nga penalizimet, duke mbajtur qytetarin me premtime boshe.
Top Channel