Vrasja e Marvi Mihalit, Gjykata ndryshon masën e sigurisë për dy nga të pandehurit

12/06/2018 11:30

Thirrja e babait të Mavri Mihalit nëpërmjet Top Channel detyroi organet e drejtësisë të ndryshojnë disa nga vendimet e dhëna për vrasjen e të riut dhe autorët.

I ati tregoi edhe një video që rrëzonte të gjithë procesin që ishte mbajtur deri tani. Këtë të martë, gjyqtari i Tiranes Sokol Tona, me kërkesë të Prokurorisë ndryshoi masën e sigurisë ndaj Kridens dhe Marsel Allës, nga detyrim paraqitje ne arrest me burg.

Këta persona së bashku me Dejvis Bitraj, i cili prej gati një viti ndodhet i paraburgosur, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë me thikë Marvi Mihalin, pas një debati që kanë patur për një karikues celulari.

Por çuditërisht prokuroria nuk ka kërkuar ndryshim mase sigurie për bashkëpunetorin e katërt në këtë vrasje, Eugen Bitrajn, i cili edhe pse akuzohet për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim të Marvi Mihalit, vazhdon të qëndrojë i lirë.

Ndryshimet e akuzës ndaj Kridens dhe Marsel Alles dhe Eugen Bitrajt, erdhi pas denoncimit që babai i të ndjerit, bëri në Top Channel, ku nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë shfaqeshin të katër të akuzuarit e lartëpërmendur që dhunonin dhe godisnin me thikë Marvi Mihalin.

Fillimisht për këtë ngjarje prokurori Artan Lulo akuzoi vetëm Dejvis Bitraj, ndërsa tre të tjerët u akuzuan për moskallëzim krimi. Por pas denoncimit dhe shfaqjes së pamjeve filmike hetimet e kësaj ngjarje i kaluan prokurorit Gjergji Tako, i cili ndryshoi akuzën për Eugen Bitraj dhe Kridens e Marsel Allen nga moskallëzim krimi në bashkëpunëtore në vrasje.

Top Channel