Shoqëri e përbashkët për mirëmbajtjen e tubacionit të TAP në Shqipëri

12/06/2018 09:24

Mirëmbajtja e tubacionit të gazit të TAP që kalon në Shqipëri do të bëhet në sajë të një marrëveshje mes kompanisë shqiptare të gazit Albgaz dhe asaj italiane SNAM, për krijimin e një shoqërie të përbashkët.

Struktura e aksioneve ndahet në raportin Albgaz 75% dhe SNAM 25%. Kompania italiane SNAM garanton kualifikimin e punonjësve të Joint Venture dhe transferimin e njohurive teknologjike sipas standarteve të sektorit por në veçanti edhe të TAP. Gjatë procesit të negociatave, qeveria shqiptare u ndihmua nga konsulentët e kompanisë “Roland Berger” falë mbështetjes financiare që qeveria e Konfederatës Zvicerane ka dhënë përmes SECO-s me qëllim asistencën teknike për rritjen e kapaciteteve të infrastrukturës së gazit në Shqipëri.

“Kjo marrëveshje erdhi pas një negociate shumë intensive, pas një procedure mbi të gjitha të hapur e ndërkombëtare mes kompanive më të mira europiane të cilat shprehën interesin për tu bërë partnere me Albgaz-in shqiptar duke demonstruar se interesi ka qenë shumë i lartë. Ne përzgjodhëm sipas meritës një nga kompanitë më të mëdha botërore SNAM e Italisë që është dhe aksionere në konsorciumin TAP”, u shpreh Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri.

Më tej, ai sqaroi se angazhimi i Albgaz në mirëmbajtjen e TAP u arrit falë rinegocimit të marrëveshjes në vitin 2016.

“Administrimi i mirëmbajtjes së gazsjellësit TAP nuk qe një e drejtë që i takonte Shqipërisë. Përkundrazi, ka qenë këmbëngulja e kësaj qeverie por dhe vullneti i mirë i konsorciumit që ne të fusnim në lojë një nga kompanitë shqiptare. Për këtë arsye, meqenëse ne na mungonin eksperiencat, kërkohej që të kishim një partner ndërkombëtar. Jemi të lumtur që zgjidhëm SNAM-in e Italisë dhe tanimë fusim një shërbim të ri në Shqipëri. Pra, një kompani shqiptare bashkë me kompaninë italiane por që në përspektivë e gjithë kjo dije e njohuri do ti transferohet kompanisë shqiptare do të jetë në gjendje të ofrojë një shërbim të mirënjohur nga pikëpamja ndërkombëtare”, insistoi Gjiknuri.

Shoqëria e përbashkët e krijuar nga Albgaz dhe SNAM ka filluar tanimë negociatat me TAP-in për kontratën/marrëveshjen e shërbimeve operacionale dhe të mirëmbajtjes. Brenda vitit 2019 pritet të përmbyllen edhe rekrutimet e punonjësve dhe trajnimet e tyre në Itali e në Shqipëri. Aktiviteti mirëmbajtjes do të fillojë qysh pas trainimit bazë, pra kryesisht gjatë vitit 2019. Pas vitit 2020, kur pritet edhe fillimi i operimit të TAP, shoqëria e përbashkët do të ofrojë gjithë spektrin e shërbimeve në fjalë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA