Në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, ku numri i vizitorëve është 33% më shumë se një vit më parë, një grup turistësh norvegjezë ndjekin me vëmendje ciceronin.
Drejtuesi i grupit, i cili vjen për herë të parë në Shqipëri, është njëkohësisht dhe menaxheri i një agjencie turistike norvegjeze. Shprehet i befasuar nga ky destinacion i ri turistik në Evropë dhe ajo çfarë Shqipëria ofron, një kulturë dhe traditë krejt të ndryshme.
Kenneth Pilskog, menaxher i agjencie turistike norvegjeze, tregon: “Shqipëria është kaq shumë e ndryshme nga vendi ynë. Të përjetosh Shqipërinë si një vend turistik është diçka e re për ne. Ndaj është interesante të lidhësh kulturën e Shqipërisë me kulturën e jugut të Europës. Një mbresë shumë e bukur nga Shqipëria, për të parë antikitetin dhe lidhur atë me zhvillimet e vendit sot”.
Turistët norvegjezë janë akomoduar në një nga hotelet e plazhit dhe shprehen të bindur se do të vijnë sërish: “Ne po qëndrojmë në një nga hotelet e plazhit dhe do të qëndrojmë tri ditë, një qëndrim i shkurtër për të përjetuar kulturën shqiptare dhe bukuritë e vendit. Një udhëtim i shkurtër, por shumë i bukur. Patjetër që do të kthehemi sërish, me grupe të tjera turistësh”.
Amfiteatri Antik është një tjetër ndalesë e turistëve që vizitojnë vendin tonë. Një nga Kina dhe pjesë e një grupi që po viziton vendin tonë, gjithashtu për herë të parë shprehet: “Është shumë tërheqëse. Është fantastike. Një arkitekturë vërtet mbresëlënëse. Kemi vizituar shumë site të veçanta dhe qytete. Një kulturë shumë e veçantë dhe zakone të ndryshme. Qemë në Tiranë dhe tani në Durrës, do të shkojmë më pas te qyteti i shumë dritareve”.
Pas Durrësit, ata do të vijojnë turin turistik drejt Beratit, qytetit të 1001 dritareve, duke njohur më shumë nga vendi ynë dhe mikpritja shqiptare.
Top Channel