Kullat e Dervish Aliut janë monument kulture që nga viti 1978. Që nga ajo kohë, kjo ndërtesë nuk ka parë asnjë investim. Të shumtë janë vizitorët që kërkojnë të hyjnë në kullë, por dera e saj është e mbyllur pasi hyrja do të rrezikonte jetën e tyre.
Kullat e Dervish Aliut në Dukat janë lehtësisht të arritshme nga turistët që vizitojnë Orikumin. Por degradimi i tyre pengon të kthehen në një destinacion turistik.
Kulla 200-vjeçare mirëmbahej nga shteti para viteve ’90, por sot monumenti i kulturës është braktisur dhe rrënohet çdo ditë e më shumë.
Sado Alickaj kujdesej dikur për kullën: “Ka qenë një vend me foto, i shtruar me sixhade dhe me të gjitha të mirat. Ka pasur shumë vizitorë, por tani nuk ka më. Vijnë në të rrallë, e shohin dhe ikin”.
Kullat janë ndërtuar nga mjeshtrat më të mirë të ardhur nga Janina, për të mbrojtur organizatorin e revoltave fshatare kundër reformave të Tanzimatit dhe familjen e tij.
Por arkitektët e zotë të asaj kohe nuk e kanë parashikuar se do të vinte dita kur kulla nuk do të mbrohej dot përballë harresës dhe degradimit nga mungesa e mirëmbajtjes.
Top Channel