Gjykata e Lartë ka marrë vendimin që çështjen ndaj Fadil Kasemit për vrasjen e bashkëshortes së tij gjyqtares Fildeze Hafizi ta gjykojnë Krimet e Rënda.
Kjo çështje prej gati një viti po shëtiste sa në Gjykatën e Krimeve të Rënda në atë të Shkallës së Parë të Tiranës, por pa mundur dot të shqyrtohet.
Në datën 30 maj, Gjykata e Tiranës ja përcolli dosjen Gjykatës së Lartë, pasi ishte e paqartë mbi kompetencën për shqyrtimin e çështjes.
Të njëjtin problem më parë e kishte konstatuar edhe Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila e kishte transferuar çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë.
Duke parë këto zvarritje, në një kohë kur afatet e paraburgimit kalonin duke rrezikuar lirimin e autorit të krimit, babai i gjyqtares së ndjerë i dërgoi një letër Presidentit të Republikës, ministres së Drejtësisë, kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe ambasadorëve të SHBA dhe BE në vendin tonë, të cilëve u kërkonte vëmendjen dhe përshpejtim të procedurave, pasi vonesat rrezikonin lirimin e vrasësit të së bijës.
Por, fatkeqësisht dy ditë pasi shkroi këtë letër, Bynjamin Hafizi ndërroi jetë, pa marrë vesh nëse do të jepet drejtësi për vrasësin e të bijës.
Top Channel