Numri i turistëve të huaj që vizitojnë Parkun Arkeologjik të Apolonisë është rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit.
Sipas drejtuesve të këtij parku, gjeografia e turistëve po zgjerohet nga dita në ditë. Shumica janë gjermanë, italianë, polakë dhe francezë, por kanë filluar edhe turet nga grupet izraelite.
Dy grupet e turistëve italianë dhe gjermanë thanë për Top Channel se janë befasuar nga ajo çfarë panë në Apoloni.
“Apolonia është një realitet i bukur që të kujton antikitetin, qytetërimin dhe ka arkitekturë të ngjashme me Siçilinë. Na tërhoqi. Është bukur. Kemi përshtypje jashtëzakonisht të mira për Apoloninë dhe për Shqipërinë në përgjithësi”, thonë turistët.
Vetëm gjatë muajit maj ky vend arkeologjik u vizitua nga mbi 8100 turistë, prej të cilëve rreth 3500 janë të huaj. Krahasuar me majin e vitit 2017, kur Apoloninë e vizituan vetëm 2900 turistë, statistikat e muajit maj tregojnë edhe rritje të të ardhurave për këtë park.
Kontribut në rritjen e fluksit të turistëve ka dhënë edhe rikonstruksioni së fundmi i segmentit rrugor që të çon në Apoloni.
Top Channel