Një mjet lundrues me 2.5 ton hashash ne bord njoftohet se është kapur nga roja bregdetare italiane ne zonën e Brindisit. Aksioni ende është ne vijim ndërsa mediat italiane shkruajnë se mjeti mund të jetë nisur nga Bregdeti i Vlorës dhe trafikantet kanë mundur të largohen sapo kanë parë policinë italiane qe po i ndiqte.
Rreth orës 16:25, një avion i Guardia di Finanza të Pulias gjatë kontrollit në hapësirën detare, pikasi një mjet lundrues që lëvizte me shpejtësi në ujërat italiane, në largësi rreth 40 milje nga bregu.
Menjëherë në ndjekje janë vënë 2 mjete lundruese të Guardia di Finanza duke e interceptuar mjetin lundrues të llojit gomone, i cili ishte i ngarkuar dhe lëvizte me shpejtësi.
Ndërkohë partnerët italianë kanë njoftuar Policinë Kufitare në Shqipëri. Disa mjete të Policisë Kufitare dhe të Guardia di Finanza në Durrës dhe Vlorë janë vënë në gatishmëri, në pritje të hyrjes së gomones në ujërat territoriale shqiptare.
Por gomonia e ngarkuar, në ndjekje nga GdF ka shtuar shpejtësinë duke hedhur në det ngarkesën.
Më pas ajo i është drejtuar territorit të Malit të Zi, duke u futur në këto ujëra.
Policia malazeze e ka interceptuar gomonen, por pas një ndjekje për rreth 1 orë, ka humbur gjurmët e saj.
Ndërkohë që Guardia di Finanza ka rikuperuar mallin e hedhur në det në ujërat ndërkombëtare në afërsi të ujërave territoriale të Malit të Zi, ku rezultoi 2 ton e 475 kilogramë marijuanë.
Top Channel