Ferrari rikthehet në Pole Position në Çmimin e Madh të Kanadasë, me Sebastian Vettel që vendosi edhe rekordin e ri të pistës. Hamilton do të niset nga vendi i katërt.

Në një fundjavë të dominuar nga Verstappen dhe Red Bull, Vettel nxorri më të mirën e tij, në provat kualifikuese, duke e kthyer Ferrarin në pole position, pas dy garash mungesë. Ishte një garë e fortë mes 6 pilotëve që udhëheqin Botërorin, të cilët u ndanë nga njëri tjetrin me të mijëtat e sekondës. Vettel gjeti ritmin e duhur me gomat hypersoft, duke vendosur një kohë rekord për pistën me 1.10.764.

Me më pak se 1 të dhjetën Bottas mori vendin e dytë në nisje, ndërsa në vendin e tretë u rendit Verstappen. Koha e katërt me e mirë u arrit nga Hamilton me 1.10.996. Pas kampionit të botës në fuqi u renditën Raikkonen dhe Ricciardo.

Ferrari nuk fitonte një pole position në Çmimin e Madh të Kanadasë që prej vitit 2001. ‘Makina ishte fantastike sot. Falenderoj skuadrën për mundësinë që më dha’, deklaroi Vettel pas përfundimit të kualifikuesve.

Top Channel