Pronat, taksat nga një prilli. Detyrimi do paguhet nga koha e hyrjes në fuqi

09/06/2018 15:03

Detyrimi i familjeve për ta paguar taksën e pronës sipas formulës së re ka filluar që nga data 1 prill e këtij viti. Edhe pse shumica e bashkive vazhdojnë ta mbledhin taksën sipas formulës së vjetër, qytetarët do ta paguajnë diferencën e detyrimit mes taksës së re dhe asaj të vjetrës, në një kohë të mëvonshme. Kjo vlen edhe për qytetarët e Tiranës.

Vendimi i bashkisë së Tiranës për të shtyrë mbledhjen e taksës së pronës sipas formulës së re, nuk shtyn hyrjen e saj në fuqi, por vetëm kohën kur do të bëhet pagesa.

Deri në datën 31 mars taksa e pronës ka qenë fikse mbi sipërfaqen. Por nga data 1 prill taksa ka ndryshuar me ligj duke u bërë 0.05 për qind e vlerës së pronës.

Për shkak se nuk janë gati nga ana teknike shumica e bashkive të vendit, përfshirë atë të Tiranës vazhdojnë ta mbledhin taksën sipas formulës së vjetër. Por në momentin që do të kenë gati hartat kadastrale, atëherë bashkitë do të bëjnë automatikisht rakordimin, mes detyrimit që duhet të paguajnë familjet sipas taksës së re dhe atij që kanë paguar sipas taksës së vjetër.

Pra nëse një familje , në tiranë ka paguar 900 lekë taksë prone për periudhën prill dhjetor 2018, por sipas taksës së re duhet të paguante 4 mijë lekë, në fund të vitit ajo do të paguajë diferencën prej 3100 lekësh. E njëjta metodë do të ndiqet në të gjitha bashkitë e tjera të vendit, që nuk e mbledhin taksën sipas formulës së re.

Taksa e re e pronës është ndryshuar me ligj në parlament dhe nuk mund të ndryshohet nga asnjë bashki. Mënyra e vetme për të shtyrë hyrjen në fuqi të saj është përmes ndryshimit të ligjit nga parlamenti, por burime nga qeveria thonë se nuk ka asnjë plan për të ndryshuara ligjin, ndaj familjet do ta paguajnë detyrimin sipas taksës së re duke filluar që nga data 1 prill e këtij viti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA