Vetëm pak ditë pas vendimit final të Gigi Buffon për t’u larguar nga Juventusi, bardhezinjtë kanë gjetur zëvendësuesin e tij. Skuadra torineze ka vënë në dispozicion të Massimiliano Allegrit ish portierin e Genoas, Matia Perin.
Ky i fundit ka nënshkruar një kontratë 4-vjeçare me Juventusin, ndërsa në arkat e skuadrës së Genoas do të kalojnë 12 milionë euro menjëherë dhe 3 të tjera në formë bonusi.
Bashkë me Szczesnyn, Perin do të diskutojë një vend titullari në formacionin e Juventusit, që këtë sezon do të ketë sërish prioritet suksesin në Europë, që i mungon prej shumë sezonesh.
Merkatoja e bardhezinjve vijon, ndërsa gjatë javës së ardhshme pritet të prezantohet edhe mesfushori turko-gjerman, Emre Can. Ky i fundit mbylli bashkëpunimin me Liverpoolin dhe do t’i bashkohet Juventusit me parametra zero.
Top Channel