Një inxhinier dhe tre agjentë kompanish sigurimi të mjeteve janë vënë në pranga në sajë të operacionit policor “Kolaudimi 2”.

Në pranga ra Albert Allushi, 31 vjeç, me detyrë inxhinier pranë Pikës së Kolaudimit të mjeteve në Fushë – Prezë, Arbër Cenuka, 28 vjeç, Gëzim Sorra, 29 vjeç dhe Haxhi Marqeshi, 30 vjeç, të tre me detyrë Agjent i një Kompanie Sigurimi Mjetesh.

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë muajit maj 2018, shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri – tjetrin, gjatë testimit të kontrollit teknik të mjeteve, kanë kaluar mjete me mangësi teknike duke iu kërkuar dhe marrë shuma monetare pronarëve të këtyre mjeteve, ku agjentat e kompanive të sigurimit të mjeteve (shtetasit Arbër Cenuka, Gëzim Sorra dhe Haxhi Marqeshi), luanin rolin e sekserit midis pronarëve të mjeteve dhe inxhinierit të Pikës së Kolaudimit të Mjeteve (shtetasit Albert Allushi). Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari korruptive”, thotë policia e kryeqytetit.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprat penale “Korrupsioni pasiv në sektorin privat” dhe “Fallsifikimit të dokumentave” parashikuar nga nenet 164/b dhe 186/3 të Kodit Penal në ngarkim të shtetasit A. A., për veprën penale “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm kryer në bashkëpunim” parashikuar nga neni 245/2-25 të Kodit Penal në ngarkim të shtetasit A. C., për veprat penale “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm” dhe “Moskallzim krimi” parashikuar nga nenet 245/2 dhe 300 të Kodit Penal në ngarkim të shtetasve G. S., dhe H. M.

Top Channel