Zhvillimet në tregun e brendshëm valutor kanë marrë një kthesë të fortë këtë të premte, teksa euro shënoi një forcim rekord ndaj monedhës kombëtare lek.
Sipas Bankës së Shqipërisë, brenda një dite të vetme euro u rrit me 2.33 lekë dhe aktualisht këmbehet me gati 127.6 lekë.
Ky është forcimi ditor më i madh i euros ndaj lekut që nga viti 2002, kur monedha evropiane hyri në qarkullim.
Që prej fillimit të vitit, euro ka shënuar rënie të vazhdueshme ndaj lekut, duke u zhvlerësuar me gati 7% brenda një kohe të shkurtër. Por, dy ditë më parë Banka e Shqipërisë vendosi të ndërhyjë në treg, duke blerë euro për të parandaluar rënien e mëtejshme të kësaj monedhe, pasi sipas bankës kjo mund të kishte pasoja negative për ekonominë.
Masa e Bankës së Shqipërisë duket se ka dhënë efekte të forta në treg. Krahasuar me tre ditë më parë euro është forcuar me mbi 3.4 lekë, duke u rikthyer sërish në nivelet e fillimit të muajit maj.
Por, çfarë po ndodh në tregun valutor? Burime nga Banka e Shqipërisë i thanë Top Channel se forcimi i euros është rezultat i shuarjes së panikut që ishte krijuar në treg.
Deri tre ditë më parë, të gjitha bankat, bizneset dhe individët që kishin nevojë për euro shtynin blerjen e tyre, pasi prisnin që kjo monedhë të binte më tej. Në krahun tjetër ata që zotëronin euro nxitonin ta shisnin atë sa më shpejt për të njëtën arsye.
Kjo çoi në rënien e shpejtë të monedhës europiane ndaj lekut. Por, vendimi i Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë duket se ka qetësuar tregun valutor duke normalizuar pritshmëritë, çka jo vetëm ka ndalur serinë negative të euros, por ka sjellë edhe forcimin e saj, deri tani me ritme rekord.
Top Channel