Rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i linjës së re drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës fiton çmimin e EMEA Finance “Projekti më i mirë hekurudhor në 2017” në kategorinë e Financimit të Projekteve.
Huaja sovrane e BERZH prej 36.87 milionë Euro mbështetet nga një grant investimi prej 35.4 milionë Euro i Platformës të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Projekti mbështet kalimin nga transporti rrugor në atë hekurudhor i cili ka një nivel më të ulët ndotjeje karboni.
Një projekt i BERZH që mbështet rehabilitimin e linjës hekurudhore midis Tiranës dhe Durrësit dhe ndërtimin e një lidhjeje të re hekurudhore drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës është vlerësuar si “Projekti më i mirë hekurudhor për 2017” nga komisioni i Çmimeve për Financimin e Projekteve në 2017 të EMEA Finance. Çmimet u ndanë në Londër në 6 Qershor 2018 dhe janë një ngjarje e shënuar në kalendarin global të financimeve të projekteve.
Mbështetja e BERZH për përmirësimin e linjës hekurudhore përfshin një hua sovrane prej 36.87 milionë Euro, nënshkruar në vitin 2016 për të bashkëfinancuar punimet për rehabilitimin e 34.7 km linjë hekurudhore midis Tiranës dhe qytetit të Durrësit dhe ndërtimin e një degëzimi hekurudhor prej 7,4 km që lidhet me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Në Maj 2018, huaja e Bankës u plotësua nga një grant prej 35.4 milionë Euro nga Bashkimi Europian përmes Platformës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Projekti është pjesë e Rrugës 2 (Route 2) të Rrjetit Kryesor të Ballkanit Perëndimor që lidh qytetet e Podgoricës në Malin e Zi dhe Vlorës në Shqipëri.
Investimet e përgjithshme të BERZH në Shqipëri vlerësohen të jenë rreth 1 miliardë Euro në më shumë se 80 projekte.
Top Channel