Eric Abidal emërohet Drejtor Sportiv i Barcelonës duke zëvendësuar në këtë detyrë Robert Fernandez. Drejtuesit e klubit katalanas bënë të ditur se 55-vjeçarit valencian, Roberto Fernandez Bonillo, që mbulonte prej disa vitesh rolin e sekretarit teknik të ekipit të parë të Barçës në futboll, nuk do t’i rinovohej më kontrata, që përfundonte më 30 qershor.

Kështu, pas falënderimeve të rastit dhe mirënjohjes publike për kontributin dhe përkushtimin e dhënë nga Robert Fernandez, kryesia e Futboll Klub Barcelonës preferoi për të ngarkuar me një përgjegjësi të tillë ish-mbrojtësin e majtë të skuadrës, francezin Eric Abidal. 38-vjeçari me origjinë nga Karaibet, pasi prindërit e tij kanë prejardhje nga Martinique, ekzaktësisht një vit më parë u emërua nga Presidenti Josep Maria Bartomeu si ambasador dhe përfaqësues i klubit blaugrana nëpër aktivitetet e ndryshme anembanë globit.

Duke lënë mënjanë titujt me Lionin, Abidal ka fituar 15 trofe gjithsej me fanellën e Barçës në 6 sezone, nga viti 2007-2013, megjithatë në marsin e vitit 2011 ish-mbrojtësi i majtë i ekipit katalanas, i cili shpesh herë ka mbuluar edhe rolin e qendërmbrojtësit, u diagnostikua me tumor dhe një vit më vonë pati nevojë për një transplant në mëlçi, sidoqoftë në majin e vitit 2012 doktorët deklaruan se Eric Abidal mund të vijonte i qetë karrierën e tij si futbollist dhe në fakt falë vullnetit të fortë ai vazhdoi të luajë deri në fundin e vitit 2014, për skuadra të tilla si Monaco dhe Olympiacos.

Prej kohësh pozicioni dhe e ardhmja e Roberto Fernandezit ishte e paqartë, megjithatë emërimi i Eric Abidal në detyrën e Drejtorit Sportiv të Barçës tani konsiderohet si goxha surprizë, pasi emri i ish-futbollistit francez nuk ishte përmendur asnjëherë në këto javët e fundit, si një kandidaturë e mundshme për të mbuluar një funksion të tillë. Përfundimisht lajmi i mosrinovimit të kontratës në rolin e sekretarit teknik Robert Fernandezit iu komunikua nga zëvendëspresidenti Jordi Mestre si dhe nga drejtuesit e tjerë Oscar Grau e Pep Segura në një mbledhje të posaçme të bordit. Eric Abidal do të bëjë prezantimin dhe njëkohësisht do të fillojë detyrën e re si Drejtor Sportiv i Barcës më datë 18 të këtij muaji.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA