Pas koncertit të parë në Shqipëri, më 1 qershor në sheshin “Skënderbej”, Ermal Meta rrëfeu në “Top Shoë Magazine” emocionet përballë publikut shqiptar, apo ashtu siç ai e quajti “shtëpisë së tij”.
“Kisha pak frikë para koncertit, pasi nuk e kisha bërë më parë një të tillë në Shqipëri. Kur bën një koncert në një vend tjetër është më ndryshe, por këtu isha në shtëpinë time. Ka qenë një emocion jashtëzakonisht i madh. Nuk e imagjinoja të ishin aq shumë njerëz. Isha në panik dhe nuk më kishte ndodhur asnjëherë më parë kjo gjë, as në Sanremo, as në Eurovision”, tha Ermal Meta, këngëtar.
Vlerësimin për Eugent Bushpepajn, me të cilin konkurroi në “Eurovision”, Ermal Meta nuk ngurroi ta përsërisë, duke e cilësuar këngëtarin më të mirë të këtij viti.
“Më duhet të them të drejtën. Eugenti këndoi shumë më mirë sesa unë. Është një këngëtar jashtëzakonisht i mirë. Këndoi më mirë nga të gjithë atje”, tha fieraku i rritur në Itali.
Tradhti e quan ai faktin që Italia nuk vlerësoi me 12 pikë Shqipërinë.
“Fakti që Italia nuk i dha 12 pikë ishte një tradhti e vogël. I dhanë pikë Norvegjisë, nuk e kuptoj”, vijoi më tej Meta përballë Alban Dudushit.
Meta foli edhe për lajmet që qarkulluan për këngën me të cilën ai fitoi Festivalin italian të Muzikës, “Sanremo”.
“Lajmi i plagjiaturës së këngës së Sanremos ishte një sajim”, theksoi Meta.
Ermal Meta foli edhe për jetën e tij private dhe marrëdhënien e munguar me të atin.
“Nuk dua të rikuperoj marrëdhënien me babain. Unë nuk e fal, Zoti fal”, tha ai.
E në fund, 37-vjeçari suprizoi publikun duke imrpovizuar për herë të parë një nga krijimet e tij në shqip.
Top Channel