Kickbox, Marku përballet të premten ndaj serbit Dragisiç

07/06/2018 21:31

Në Pallatin e sportit “Asllan Rusi”, këtë të premte do të zhvillohet sfida e kickbox-it mes Florian Markut dhe boksierit serb Sladjan Dragisiç.

Ashtu siç ndodh gjithmonë në prag të çdo dueli sportistët iu nënshtruan procesit të matjes së peshës për të dhënë më pas edhe një konferencë shtypi me Florian Markun që u shfaq i bindur për fitoren.

“Mezi po e pres këtë ndeshje dhe jam shumë i motivuar. Dëshira ime është që të përballemi në këmbë. Por ju premtoj se nëse do të ndeshemi në boks atëherë Sladjan do të flerë që në raundin e parë”, u shpreh Florian Marku.

Të njëjtin optimizëm e synim e shfaqi edhe Sladjan Dragisiç.

“E respektoj kundërshtarin tim, Florian Markun. Por unë kam ardhur këtu i përgatitur dhe me synimin për të fituar këtë përballje. Gjithsesi ky është një sport dhe unë uroj që të fitojë më i miri”, tha Dragisiç.

Florian Marku kishte nisur përgatitjet prej 2 muajsh në Tajlandë dhe deri tani nuk ka pësuar asnjë humbje.

Dueli mes tij dhe Sladjan Dragishic do të zhvillohet në orën 19:00 të së premtes dhe do të transmetohet nga Digitalb nëpërmjet paketës Supersport.

Top Channel