Shqiptari, “koka” i rrjetit të trafikut të drogës në Spanjë, e pranon para gjykatës

06/06/2018 00:37

Një shtetas shqiptar ka pranuar para gjykatës në Pontevedra të Spanjës se ai ishte koka i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Shtetasi i identifikuar si Afrim.H nga mediat spanjolle doli para gjykatës në Pontevedra së bashkë me 3 persona të tjerë ditën e martë.

Shqiptari ka pranuar se drogën e merrte në Valencia, ndërsa më pas ajo dërgohej në një banesë në Pontevedr para se të shpërndahej.

Bashkëshortja e njërit prej të pandehurve nuk e ka pranuar të ketë qenë pjesë e këtij rrjeti, ndërsa një tjetër i akuzuar, i cili është përmendur nga shtetasi shqiptar, ka pranuar se ka ndarë banesën me shqiptarin, por ka mohuar se ka qenë pjesë e rrjetit të trafikut.

Të pandehurit kanë treguar se në dhjetor të vitit 2015 kishin marrë një sasi prej 10 kilogramësh heroinë në Valencia, të cilën e kishin mbajtur për një kohë të caktuar në dyshemenë e banesës së tyre në Sanxenxo, Pontevedra, ndërsa më pas e shpërndanë atë tek klientët e tyre të pakicës.

Ata thanë para gjykatës se dërguan në Narón në A Coruña një sasi prej 3 kilogramësh heroinë në këmbim të një shume prej 91 500 eurosh.

Sipas mediave spanjolle, ata përdornin për trafikun e drogës 4 automjete, të cilat kishin vende të posaçme për fshehjen e drogës.

Policia tha në një deklaratë se shtëpia ku jetonin personat e ndaluar në Sanxenxo ishte kthyer në një laborator droge, ndërsa u gjetën edhe 3 armë zjarri dhe dokumente të falsifikuara.

Prokuroria ka kërkuar 60 vite burg për personat e akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.

Top Channel