Ngjyra uruguajane në Tiranë, piktori që “stolis” pallatet e kryeqytetit

06/06/2018 20:04

Ai është një artist i njohur, jo vetëm në vendin e lindjes, në Uruguaji, por edhe në shumë vende përmes muraleve të pikturuara që mbajnë firmën e tij.

Që nga Belgjika e deri në Nju Delhi, Licuado pikturon në fasada muresh, portrete reale njerëzish. Me fantazinë nuk bën dot kompromise, që ai t’i japë një fytyrë të re pallateve të vjetra, duhet që personazhet të jenë reale, njësoj si njerëzit që banojnë brenda këtyre pallateve.

“Nisa të pikturoja 7 vite më parë. Para kësaj punoja si fotograf, një start i mirë, sepse fotografoja personazhe. Kjo më çoi të pikturoja më vonë portrete në mur”, shprehet Licuado, street artist.

Në Tiranë, Licuado po punon që prej një javë, në një pallat pranë ish-stadiumit “Dinamo”.

“Si fillim bëj matjet në mur për të parë se sa bojë më duhet të përziej. Më pas, përpiqem të gjej ngjyrat e duhura dhe kur e kam arritur këtë qëllim, gjej nuancat e përafërta për hijet. Tani do të përziej 8 apo 9 ngjyra për të gjetur nuancat që më duhen që të jenë sa më pranë reales. Studiova disa gjëra rreth Shqipërisë, por nuk arrita të gjej diçka me të cilën të mund të identifikoja veten dhe Shqipërinë, ndaj vendosa të bëj portretin e nënës sime, jo vetëm për të, por për të gjitha nënat, sepse nënat janë shumë të rëndësishme kudo në botë. Zgjodha portretin e nënës, sepse koncepti rri shumë mirë këtu dhe kudo tjetër”.

Licuado vjen në Tiranë si pjesë e edicionit të parë të MurAl Fest, një iniciativë e Bashkisë së Tiranës.

“U hap si thirrje për artistët vendas dhe arritëm që të kemi një pjesëmarrje shumë të madhe artistësh me famë ndërkombëtare, gjë që është shumë e mirë për qytetin dhe një reklamë e mirë që shkon jashtë kufijve”, thotë Henril Cule, Drejtor i Ndërmarrjes së Dekorit, Bashkia Tiranë.

Top Channel