Elseid Hysajt, i cili një ditë më parë, u listua mes 100 lojtarëve më të paguar në botë, ka ngjallur interesin e klubeve më me emër në Europë dhe për këto interesime ka folur së fundmi edhe agjenti i lojtarit, Mario Giuffredi.

Ai është shprehur se mbrojtësi shqiptar është shumë i lidhur me trajnerin tashmë të larguar nga Napoli, Maurizio Sarri.

Sipas Giuffredit, klauzolën prej 50 milionë eurosh e kanë mundësinë vetëm klubet e Premier Leagues për ta paguar, ndaj nuk përjashtohet mundësia që shkodrani të mbetet në Napoli.

“Hysaj ka një çmim që mund ta paguajnë vetëm anglezët, ndaj e ardhmja e tij është e lidhur ngushtë me atë të Sarrit. Nëse ky i fundit transferohet në Premier League, do të kërkojë me vete edhe Hysajn, por në të kundërt, lojtari mund të mbetet te Napoli”, deklaroi Giuffredi.

Elseid Hysaj punon prej 6 sezonesh me Maurizio Sarrin, pasi ishte pikërisht ky trajner që e afirmoi te Empoli dhe më pas e mori me vete te Napoli, ku prej 3 sezonesh e aktivizoi si titullar.

Për Sarrin ka interes nga disa klube angleze dhe nëse transferohet në Premier League, mund të marrë shkodranin me vete, si një nga lojtarët më besnikë të tij.

Top Channel