Disfata e dytë në po kaq miqësore e shtoi presionin te trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, aq sa konferencën e programuar para gazetarëve ta zhvillonte në një qoshe të hotelit ku qëndroi ekipi kuqezi.
Në mënyrë thuajse të fshehtë dhe me pyetje të përgatitura, Christian Panucci u rrëfye për humbjen e radhës në stadiumin e Evianit, e këtë e bëri në orët e para të së hënës.
“Nuk ka asgjë kaq të rëndë dhe katastrofike siç duan të duket. Bëmë dy ndeshje negative, sepse skuadrës i mbaroi benzina, pasi nuk jemi Brazili apo Franca. Jemi pa Bashën, Xhakën, Memushajn Grezdën, Sadikun. Mavraj ka 5 muaj që s’luan. Ukraina kishte futbollistë të Shakhtarit dhe Dinamos, pra me kualitet të ndryshëm”, tha Panucci.
Panucci premton se, pas pushimeve, kur ndeshjet të vlejnë vërtet pikë, gjithçka do të ndryshojë.
“Nuk më pëlqen të gjej justififikime, por bateritë i kishim të shkarkuara. Kishim shumë të rinj dhe ishte e drejtë të rrezikonim dhe të provonim. Jam i bindur se në shtator, skuadra do të rikthehet konkurruese në Ligën e Kombeve”, tha më tej trajneri italian.
Shqipëria do të nisë fushatën e saj në Ligën e Kombeve në shtator, me ndeshjet ndaj Izraelit dhe Skocisë.
Top Channel