Jashtë Botërori dhe jashtë forme; Itali-Holandë përfundon 1-1

04/06/2018 22:46

Italia dhe Holanda u përballën mbrëmjen e së hënës në një miqësore luksi, sfidë që çdo tifozë i këtyre dy skuadrave do të dëshironte që t’i shihte të luanin pas 10 ditësh, kur edhe fillon Kupa e Botës “Rusi 2018”

Por ajo çfarë u pa në “Allianz Stadium” të Juventusit, ishin dy ekipe ëq nuk dhanë maksimumin e tyre në këtë sfidë, kjo edhe për faktin se asnjëra prej tyre nuk do të luaj në Rusi, e lojtarët nuk kanë qenë të motivuar sa duhet.

Por për t’i dhënë pak aromë botërori, organizatorët janë kujdesur që arbitri kryesor të ishte një rus, Vladislav Bezborodov, i cili nuk u kursye aspak me kartonat e nxjerrë pavarësisht se ishte vetëm një miqësore, e kjo u dallua më së miri në të 69-tën kur i nxori kartonin e kuq Domenico Criscito, duke i lënë “axurrët” me 10 lojtarë.

Duke iu rikthyer ndeshjes, formacioni i hedhur në fushë nga Roberto Mancini dominoi pjesën më ët madhe të lojës, duke u shpërblyer edhe me një gol në të 67-tën, me anë të Simone Zaza.

Por diferencat në fushë anuan në anën e miqve pas daljes me të kuqe të Criscito, e teksa “tulipanët” shtonin presionin, Nathan Ake ka shënuar një super gol me kokë duke barazuar shifrat në 1-1.

Top Channel