Bisedimet me Serbinë, me Thaçin kryenegociator? Mblidhet Kuvendi i Kosovës

04/06/2018 11:03

Kuvendi i Kosovës shqyrton projektplatformën shtetërore mbi finalizimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Praktikisht sot vendoset nëse udhëheqës i këtij dialogu do të jetë presidenti Hashim Thaçi, gjë që është kontestuar ashpër nga opozita. Partitë opozitare nuk pranojnë vazhdimin e dialogut pa një raport vlerësues në lidhje me rezultatet e deritanishme të kësaj nisme, që vazhdon prej thuajse një dekade.

Ato kundërshtojnë gjithashtu vazhdimin e përfaqësimit të Kosovës nga Thaçi, që po shpreson të sigurojë votat e LDK-së, por edhe në radhët e saj nuk ka gatishmëri nga të gjithë.

Një muaj më parë, Komisioni parlamentar për Politikat e Jashtme votoi me shumicë votash kundër përmbajtjes së platformës së qeverisë, për mënyrën e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

LDK-ja dhe Partia Socialdemokrate, së bashku me partinë në pushtet Nisma Social-Demokrate, kundërshtuan përmbajtjen e platformës, e cila sipas tyre nuk është e plotë dhe ka shumë paqartësi për mënyrën sesi të përmbyllen bisedimet me Beogradin.

Top Channel