Kombëtarja shqiptare do të zbresë pasditen e sotme në fushën e Evianit, në Francë, ku do të përballet me Ukrainën në një takim miqësor, që i paraprin edhe nisjes së pushimeve verore.
Kuqezinjtë e Panuccit vijnë pas një humbjeje të befasishme 3-0 ndaj Kosovës, sfidë në të cilën zhgënjyen tërësisht edhe me atë që dhanë në fushën e lojës.
Trajneri italian i kuqezinjve theksoi se skuadra kishte pësuar një ‘black out’ në atë sfidë, por u shpreh i bindur se paraqitje të tilla nuk do të ndodhin më.
Ndaj Ukrainës do të jetë një mundësi e mirë që futbollistët e Shqipërisë të tregojnë se nuk janë ata që luajtën ndaj Kosovës dhe për më tepër, të japin shpresa se janë gati për të synuar një vend në kampionatin e ardhshëm Europian.
Ndryshe nga Kosova, këtë herë Panucci ka bërë disa ndryshime në formacion, thuajse në të gjitha repartet, duke planifikuar të shtojë më shumë eksperiencë në fushën e lojës.
Formacioni i Shqipërisë: Berisha, Hysaj, Mavraj, Gjimshiti, Veseli, Lilaj, Roshi, Lenjani, Ndoji, Ramadani, Manaj.
Top Channel