Italianët po luftojnë me Kushtetutën e tyre dhe ndoshta do të shkojnë drejt zgjedhjeve të tjera. Por a janë ata viktima të një mashtrimi financiar të organizuar nga gjermanët? Kur lexon komentet apo kur dëgjon njerëzit nëpër rrugët e Romës e Napolit, duket se e mendojnë vërtet kështu.
Edhe banorët e Athinës, për varfërimin e tyre fajësonin gjermanët dhe francezët, (këta të fundit më pak) si organizatorët e monedhës së përbashkët. Italianët duket se po ndjekin të njëjtën linjë.
Por a mund të mbetet viktimë një vend i tërë, siç mund të ndodhë me një individ, ta zëmë, që bie pre e një reklame të zgjuar nga një bankë e cila shet sigurime që nuk do të shpaguhen kurrë.
Ekspertiza dhe njohuria që ka banka është shumë herë më e madhe se ajo e individit, kolosale, ndaj ekzistojnë entet rregullatore, të cilat duhet të mbajnë nën vëzhgim manovrat e shumta të bankave për të bërë para.
Po t’i hedhësh një sy të shpejtë krizës financiare dhe ndikimit të saj në eurozonë, duket qartë që shumë vende u zunë të papërgatitur kur ndodhi skandali i vëllezërve Lehman. Irlanda, Spanja dhe Portugalia u goditën më shumë nga të gjithë.
Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk fajësoi euron për problemet. Irlandezët e kuptuan që me eurot u kishte ardhur fati në derë. Po merrnin hua me përqindje që u jepeshin vetëm vendeve të renditura si të nivelit AAA, duke zhvilluar sektorin e ndërtimit në përmasa të jashtëzakonshme, dhe duke i paguar punonjësit e administratës publike sikur të ishin drejtorë marketingu.
Kur qeveritë kudo nëpër Europë vendosën masa shtrënguese, mungesa e barazisë dhe ndikimi i masave u vendos në Dublin, jo në Bruksel.
Edhe spanjollët e përdorën euron për të zhvilluar sektorin e ndërtimit, si dhe për të kënaqur fiksimin e tyre fitimprurës me infrastrukturën, që përfshinte planifikimin ose edhe ndërtimin e 30 aeroporteve ndërkombëtare, të cilat më pas u anuluan ose u lanë për më vonë.
Si mund të akuzonte të tjerët Madridi për nismat e veta, si përpjekje që t’i shpëtonte të shkuarës agrare, (jo fort të largët) dhe të futej në shekullin e 21-të me shpejtësi skëterre? Këto vendime ishin marrë brenda vendit të tyre.
Po ashtu edhe Portugalia, e cila zgjodhi një qeveri të së majtës së qendrës, e cila vazhdoi të vinte në zbatim politika ekonomike për t’i shpëtuar masave shtrënguese, që të përmirësonte punësimin dhe të qëndronte brenda kufijve të një buxheti modest.
Italianët, në anën tjetër, në vend që të vënë rregull në shtëpinë e tyre, fillojnë të kërkojnë se kujt t’i hedhin fajin. Një shembull tipik mund të shihet në Venecia, ku boja e bukur e pallateve bie rregullisht copa-copa brenda nëpër kanale, dhe nuk riparohet kurrë. Rinovimi duhet bërë sipas metodave të lashta, që kushton shumë shtrenjtë. Ky rregull është vendosur nga autoritetet rajonale që nuk bëjnë lëshime, nuk pranojnë as propozimet e këshillit bashkiak. Subvencionet që jepeshin dikur janë mbyllur, duke i lënë ndërtesat në mëshirë të elementeve natyrore.
Pastaj është mafia, dalja në pension më herët se në vendet e tjera, niveli i lartë i evazionit fiskal dhe numri i ulët i lindjeve. Të gjitha këto probleme janë krijuar në Itali, jo në Bruksel.
Kjo s’do të thotë që reagimi i teknokratëve të Brukselit ka qenë shpresëdhënës. Ata nuk po i bëjnë nder vetes kur mohojnë të kenë lidhje me krizën e Italisë. Euroja u ka leverdisur gjermanëve, të cilët kanë një monedhë të lirë karshi fuqisë ekonomike të vendit të tyre, duke dëmtuar eksportuesit italianë, të cilët duhet të luftojnë kundër monedhave më të shtrenjta.
Nëse do të mbijetojë, BE-ja duhet të pranojë se huadhënësit janë bashkëfajtorë në raste falimentimi, njësoj si kredimarrësi. Kur një bankë i jep hua Italisë, e bën duke e ditur shumë mirë që ky vend është në një fazë rënieje ekonomike, e cila mund të kalojë në krizë të thellë sa hap e mbyll sytë, për shkak të paqëndrueshmërisë së tregjeve financiare ndërkombëtare. Kjo do të thotë që kur hasen probleme, pjesë e marrëveshjes duhet të jetë edhe falja e borxhit, siç duhej të kishte ndodhur me Greqinë, kur u gjend në një situatë që nuk merrte dot hua.
Por politikat e ashpra që janë ndjekur nga disa zyrtarë të Brukselit kundër Italisë nuk duhet të na bëjnë të harrojmë faktin që Italia është arkitektja e strukturave bizantine të sektorit publik, me ligje të çuditshme taksash, me rregulla punësimi që nuk përshtaten. Pra, nuk janë ata që krijuan euron apo BE-në.
Philip Innman, The Guardian
Top Channel