Armë pa lejë në mjetin e aksidentuar, policia arreston dy shtetas në Lezhë

03/06/2018 10:38

Policia e Lezhës ka vënë në pranga dy shtetas dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi kanë tentuar të fshehin një armë pa lejë, që mbahej në një mjet.

Ngjarja ka ndodhur në aksin Shëngjin-Lezhë, ku shtetasi Astrid Nimani, 47 vjeç, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, doli nga rruga, por për fat të mirë nga aksidenti pati vetëm dëme materiale.

Menjëherë mbërritën në vendngjarje efektivë të policisë, ndërsa i aksidentuari tentoi që me ndihmën e shtetasve Oltion Vuka 39 vjeç dhe D. M. 4 vjeç, të fshehë një armë pa lejë që mbante në makinë.

Policia arriti të sekuestrojë armën në cilësinë e provës materiale, ndërsa arrestoi shtetasit Astrid Nimani dhe Oltion Vuka, si dhe shpalli në kërkim shtetasin D. M. që arriti të largohet nga vendi i ngjarjes.

Për të 3 shtetasit janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë materialet proceduriale për veprat penale si më poshtë:

“Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe ” Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” parashikuar nga nenet 278/1, 291 dhe 242 të Kodit Penal në ngarkim të shtetasit Astrid Nimani.

“Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ” Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” parashikuar nga nenet 301 dhe 236/1 të Kodit Penal në ngarkim të shtetasit Oltion Vuka.

“Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit D.M.

Top Channel