Reali “galaktik” dhe i paqëndrueshëm. 40 trajnerë në 44 vitet e fundit

02/06/2018 13:23

Më shumë sesa një pankinë, ajo e “Bernabeu”-t mund të konsiderohet si një “karrige elektrike”. Të paktën kështu e përkufizojnë mediet spanjolle.

Dorëheqja e Zinedine Zidane nga posti i trajnerit të Realit i shtohet në fakt një të dhëneje statistikore tepër interesante.

Pasardhësi i Zizou do të jetë trajneri i 40 i “Los Blancos”-ve në 44 vitet e fundit. Një rekord më vete i një klubi tejet të famshëm, të aftë madje të rishkruajë historinë e Champions League duke fituar 3 trofe radhazi, përveç asaj që ka fituar 4 herë në 5 vitet e fundit.

Reali është një prej klubeve më prestigjioze, tërheqëse dhe fituese në botë. Por, edhe njëri prej atyre klubeve, prej nga ku “eksodi” është i garantuar. Pesha e rëndë e fanellës “merengues” ka zvogëluar përgjatë historisë cilësinë dhe kualitetin e shumë kampionëve, sikurse edhe destabiliteti i pankinës ka vendosur përpara provës së vështirë edhe trajnerët më të afirmuar.

Gjithçka dhe gjithmonë të kushtëzuar nga rezultatet, sepse në Madrid nuk mund të tolerojnë sezone pa trofe. E këtë e vërtetojnë edhe dy nga emrat më të mëdhenj të trajningut në kohët e sotme, Jose Mourinho dhe Carlo Ancelotti, të cilët nuk kanë përjetuar vetëm lavdi.

Por lista është edhe më e gjatë, shumë e gjatë madje, duke nisur nga Miguel Munoz i shkarkuar në vitin 1974, pas 13 vitesh, vetëm sepse nuk arriti të fitonte kampionatin. Më pas Di Stefano, Boskov, Del Bosque, Hiddink, Camacho, Capello, Schuster, Pellegrini dhe trajnerët e sipërpërmendur.

Secili prej tyre ka pasur historinë e vet, dikush më të gjatë e më triumfatore, por që është karakterizuar nga konsensuse herë më të mëdha e herë më të vogla në shoqërinë madrilene, sikurse edhe kundrejt tifozëve.

Vetëm se, një fije e hollë, e padukshme dhe e kuqe duket se i bashkon të gjithë. Mesatarisht, një trajner i Realit të Madridit mbetet në krye të pankinës për një vit e një muaj. Ky është fati mizor i fitimtarëve.

Dy vite e gjysmë të Zidane në krye të “Los Blancos”-ve duken shumë pak, pavarësisht se përgjatë kësaj kohe janë siguruar 9 trofe në total. Thënë kjo, statistika e francezit thjesht sa mund të shtojë disi mesataren e qëndrueshmërisë së një tekniku madrilen në post, por tendenca sërish konfirmohet.

“Po largohem sepse për të vazhduar me fitore duhet një ndryshim në skuadër”, tha francezi në konferencën për shtyp. Një deklaratë që ndonëse nuk u prit mirë nga presidenti Florentino Perez, tregon se te Reali nuk ka aspak kohë për eksperimente apo rindërtime. Ekziston vetëm “koha për të fituar”.

FOTO GALERI
2/27
Vujadin Boškov 06/79-29/03/82

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA