I riu vdiq në Komisariat, policët e akuzuar për dhunë “ndryshojnë” detyrë

02/06/2018 19:13
Enea Ftoj

Efektivët e Komisariatit të Policisë së Korçës që akuzohen nga familjarët e të ndjerit Enea Ftoj se e rrahën atë për vdekje, pritet të transferohen në detyra të tjera deri në përfundim të hetimeve të nisura.

Zv.ministrja e Drejtësisë, Romina Kuko ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese te Drejtorisë së Policisë dhe Komisariatit të Korçës. Takimi, që ka zgjatur për thuajse 3 orë ka pasur në fokus pikërisht ngjarjen e rëndë të ndodhur në paraburgimin e Komisariatit të Korçës, ku humbi jetën 27-vjeçari Enea Ftoj.

Burime bëjnë me dije se gjatë takimit kanë qenë të pranishëm edhe policët e akuzuar nga familjarët e Enea Ftojt për ushtrim dhune fizike. Burime të rezervuara pohuan se të tre efektivët e akuzuar nga familjarët se kanë ushtruar dhunë ndaj të riut, pas këtij takimi pritet që të transferohen në sektorë të tjerë të strukturave të policisë deri në mbyllje të hetimit.

Enea Ftoj, 27 vjeç ndërroi jetë në ambientet e komisariatit dy javë më parë, ndërsa familjarët akuzuan policinë se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj tij.

Top Channel