Kantautori shqiptar, triumfues i edicionit të fundit të “Sanremos” në Itali, Ermal Meta ka mbetur i surprizuar për ndryshimin që ka pësuar Tirana dhe nga pritja e veçantë që i është rezervuar në kryeqytetin shqiptar.
Por, duket se ajo që i ka bërë përshtypje në mënyrë të veçantë kanë qenë biçikletat e reja “Mobike”, që kanë mbërritur në kryeqytetin shqiptar, me të cilat pedaloi sot së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj.
Gjatë një bashkëbisedimi me studentët shqiptarë dhe italianë, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, teksa foli për jetën dhe karrierën e tij rrëfeu edhe një episod, ku një gazetar italian kishte keqpërdorur një intervistë të tijën duke folur me konotacion negativ për shqiptarët.
Ai tregoi se për këtë kishte dashur ta ndiqte nga pas gazetarin, por pa mundur ta kapte. E me humor deklaroi se, po të kishte një nga biçikletat “Mobike”, do ta arrinte atë.
“Vitin e kaluar, kur mora pjesë në Sanremo dhashë një intervistë në një gazetë të rëndësishme, për një gazetar të rëndësishëm. Folëm për shumë gjëra interesante, por në fund titulli i artikullit ishte: ‘Doni të shikoni që shqiptari do të fitojë, do të na e hedhë të gjithëve?!’. Unë fola për shumë gjëra, por ai e shkroi me konotacion negativ. Nuk e tha me zemër të pastër. Tha ‘Si është e mundur që do të na e hedhë shqiptari?’. E kam ndjekur me vrap kur e takova, por nuk e kapa dot. Të kisha pasur biçikletën e kryetarit e kisha kapur”, tregoi Meta.
Gjithashtu, ai u shpreh se Tirana ka ndryshuar shumë, e se kjo vizitë i kishte shërbyer edhe për të hequr nga kujtesa një ndjesi të hidhur që lidhej me një vizitë të mëparshme të tij.
“Tirana më pëlqen shumë tani. Herën e fundit që kam qenë këtu në vitin 1992 isha për një arsye të hidhur, e mbase e shikoja Tiranën me atë ndjesi që kisha brenda, por kësaj here sikur i shpëlava sytë”, tha Ermal Meta.
Top Channel