Nga 5 qershori, qiellin e Mali të Zi do ta patrullojnë avionët e dy aleatëve të tij të NATO-s, Italisë dhe Greqisë.

Vendi i vogël buzë Adriatikut, që iu bashkua Aleancës ushtarake të Atlantikut të Veriut vitin e kaluar, nuk ka avionë ushtarakë të vetët, e për këtë arsye i ka kërkuar NATO-s ta ndihmojë në garantimin e sigurisë së hapësirës së tij ajrore.

Misione të tilla nuk janë të pazakonta. Politikat e aleancës përfshijnë edhe mbrojtjen e qiejve të aleatëve që nuk kanë një forcë ajrore të tyren.

Mali i Zi kontribuon nga ana e tij në sigurinë e përbashkët të aleancës me dërgimin e trupave ushtarake në misione trajnuese në Afganistan. Ai siguron po kështu mbështetje financiare për Forcat afgane të Sigurisë.

Avionët luftarakë italianë e ata grekë, të përfshirë në këtë nismë, do të vazhdojnë t’i kenë bazat në vendet e tyre dhe do të ngrihen prej andej sa herë të jetë e nevojshme.

Politika ajrore e NATO-s nuk është domosdoshmërisht përgjigje ndaj një kërcënimi specifik, por një element thelbësor i mënyrës sesi garanton sigurinë e pjesëtarëve të saj. Rregullat e aleancës kërkojnë që forcat ajrore të saj të kenë në gatishmëri të paktën dy avionë luftarakë 24 orë në 7 ditë të javës, e në çdo moment më pas, me dhjetëra avionë të tjerë të jenë në gjendje të ngrihen në ajër, kurdoherë në mbarë Europën.

Spanja, Portugalia dhe Franca janë aktualisht të angazhuara për mbrojtjen e hapësires ajrore të Lituanise, Letonisë dhe Estonisë. Italia ndihmon rregullisht në mbrojtjen e qiellit slloven, ndërsa forcat ajrore britanike patrullojnë në Rumani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA