Një derë që hapet, telajo që përplasen, objekte që mungojnë, aktorë që harrojnë tekstin dhe një i vdekur që nuk di nga të shkojë.

Një shfaqje brenda shfaqjes që nis si një dramë misterioze dhe përfundon në një komedi katastrofash. Kjo është “Komedia që shkon për dreq”, fituesja e çmimit “Lorenc Oliver”, si komedia më e mirë, me regji të Driada Dervishit, që pas Durrësit dhe Korçës, vjen edhe premierë prej të enjtes në Teatrin Kombëtar.

“Bëjmë teatër në Shqipëri. Përpiqemi në mundësitë tona maksimale, nganjëherë duke kaluar edhe në kufijtë e një mbijetese, e megjithatë vazhdojmë të bëjmë teatër, dhe megjithatë sallat e teatrit në Shqipëri po mbushen plot”, shprehet Driada Dervishi, regjisore.

Kjo është një komedi angleze, por me gjasë publiku i këtushëm e gjen veten në shumë skena, interpretuar nga Bujar Asqeriu, Romir Zalla, Gentian Zenelaj,Monika Lubonja, Sokol Angjeli etj.

“Luajmë disa personazhe që i luajnë aktorë amatorë. Kjo është një trupë amatore, të cilët kanë marrë përsipër të bëjnë një shfaqe për kënaqësinë e tyre”, tha Bujar Asqeriu, aktor.

“Një shfaqe është festë, si për ne që e sjellim para teatrit, por edhe për publikun që vjen edhe e shijon”, thotë Romir Zalla, aktor.

“Unë jam vëllai i Monikës, Monika është njëçikë bishtpërdredhur”, tregon Sokol Angjeli, aktor.

“Definitivisht ka qenë komedia më e vështirë që kam punuar ndonjëherë në jetën time”, rrëfen Gent Zenelaj, aktor.

Kur gjërat shkojnë keq, mos u shqetësoni, sepse do të shkojnë edhe më keq. E ka moto të vetën kjo komedi. Por në këtë rast, aktorët mendojnë se “Komedia që shkon për dreq”, do shkojë më se miri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA