Haradinaj: Serbia po rrënon çdo komunikim normal me Kosovën

30/05/2018 14:06

Një fotografi e kohës së luftës ku mbahet mbishkrimi “UÇK” dhe flamuri i Shqipërisë, i janë ndaluar fotografes Eliza Hoxha, në Merdarë, në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Policia e Serbisë ka ndaluar 3 fotografi si dhe katalogun e ekspozitës të artistes Eliza Hoxha, të cilat kishin dedikim ekspozitën “Midis ëndrrës dhe realitetit”, në kuadër të edicionit të pestë të festivalit “Mirëdita-Dobërdan”, që organizohet në Beograd.

Për këtë rast ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Përmes një statusi në “Facebook”, ai ka thënë se autoritetet serbe me këtë akt po rrënojnë ato pak mundësi për vendosjen e komunikimit normal me Kosovën.

Sipas Haradinajt, kjo është në kundërshtim me frymën dhe vlerat evropiane.

Postimi i plotë

Autoritetet serbe me aktin e ndalesës në kufi të artistëve kosovarë, të ftuar në festivalin “Mirëdita, dobar dan” në Beograd, po rrënojnë edhe ato pak mundësi për vendosjen e një komunikimi normal me Kosovën, qoftë edhe përmes artit, si gjuhë universale.

Artistët dhe të rinjtë nga Kosova po i nënshtrohen bastisjes së rreptë në kufi me Serbinë, ku policia serbe ua ka bërë me dije se dy ekspozita nuk do të lejohen për shkak të përmbajtjeve artistike të tyre.

Me pengimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe ideve, Serbia po e minon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është në kundërshtim me frymën dhe vlerat europiane.

Top Channel