Entuziazëm mes fëmijëve të shkollave 9-vjeçare në kryeqytet ka sjellë projekti “Edukim përmes artit”, një projekt, i cili synon që të kultivojë tek artistët e vegjël shijet muzikore, si publiku i së ardhmes dhe spektatori që do të duartrokasë shumë shpejt artistët e TKOB. Koncerti i mbajtur të premten në mbrëmje në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse ka shënuar edhe fazën finale të këtij projekti.
“Fakti që semestrin e parë të këtij viti akademik në kishim 10 shkolla 9-vjeçare që garuan së bashku dhe tani kemi edhe 10 të tjera, pra në një vit 20 shkolla, kjo tregon që Teatri i Operës paska një sfidë shumë të vështirë për t’u përballur në vitet që do të vijnë, sepse do të ketë një publik shumë cilësor, por ndërkohë do të ketë edhe artistë, të cilët po bëhen gati për të hipur në skenë”, tha Mirela Kumbaro, Ministre Kulture.
Perfomancat e artistëve të vegjël jashtë pritshmërive, u kanë siguruar atyre një të ardhme të sigurt krah artistëve profesionistë.
“Unë ju jap një premtim që ju do të jeni gjithmonë kori permanent i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe ne, Ministria e Kulturës dhe shpresojmë ajo e Arsimit, që ne të bëjmë të mundur që kori i TKOB të ketë stafin permanent të korit të fëmijëve”, thotë Zana Çela, Drejtore e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Projekti “Edukimi përmes artit” pas Tiranës, do të shtrihet edhe në qytete të tjera në vend.
Top Channel