Edhe Tepelena do të ketë një sezon turistik zyrtar. Një javë e gjatë me aktivitete nisi në këtë qytet, për të promovuar kapacitete mikpritëse dhe për ta reklamuar Tepelenën me bukuritë e saj natyrore si një destinacion që duhet vizituar në jug.
Edhe Tepelena bëhet turistike. Për herë të parë në qytet u çel sezoni turistik, që do të jetë në fakt një një javë me aktivitete. Gjate saj do të prezantohen potenciali turistik për të garantuar operatorët turistikë për mundësinë e shërbimeve të kulinarisë dhe akomodimit megjithëse ende për grupe të vogla vizitorësh.
Java e Ali Pashës nisi me një sesion shkencor për figurën e tij ku kanë referuar emra të njohur të historisë, kulturës dhe trashëgimisë. Panairi i artizanatit, kulinarisë dhe traditës ka mbledhur në shesh artizanë, bujtina të vogla dhe përfaqësues të bërthamave të para të agro-turizmit në Tepelenë.
Të ftuar për të pasuruar ofertën turistike të Tepelenës kanë qenë edhe artizanë nga rajone të tjera të vendit. Festimet vijuan deri në mesnatë me një koncert në sheshin e qytetit dhe animime në muret e kalasë.
Disa operatorë turistikë grumbulluan informacione mbi ofertën dhe hartën ku janë të vendosura shërbimet e para turistike të destinacionit më të ri në Jug. Një vit më parë Tepelena numëroi disa mijëra turistë ditorë por edhe grupe të turizmit të aventurës në kanionet e Nivicës dhe Malësinë e Kurveleshit. Të paktën 5 njësi të reja akomoduese i janë shtuar zonës këtë vit por ende nuk mund të flitet për një turizëm të qëndrueshëm.
Top Channel