Operacion antidrogë shqiptaro-grek, sekuestrohen 198 kg kanabis në Igumenicë

29/05/2018 15:20
Foto arkiv

Policia greke ka sekuestruar një sasi prej 198 kg kanabis sativa në afërsi të Igumenicës, pas sinjalizimeve të palës shqiptare.

Në sajë të operacionit të përbashkët antidrogë u vunë në pranga dy grekë, E.K., 50 vjeç banues në Trikalla dhe G.S., 51 vjeç, banues në Athinë.

“Falë shkëmbimit të informacionit dhe koordimit të veprimeve, mëngjesin e sotëm në vendin e quajtur “Dhafni” Filat, Policia e Igumenicës ka kapur 2 shtetas grekë, konkretisht E.K., 50 vjeç banues në Trikalla dhe G.S., 51 vjeç, banues në Athinë, të cilët transportonin me një mjet “Mercedes”, të marrë me qira nga shtetasi E.K., rreth 198 kilogramë lëndë narkotike”, njofton policia e Shtetit.

Informacionet nisën gjat patrullimit të shërbimit të policisë kufitare të Livadhjasë në Sarandë, të cilët kishin konstatuar disa persona që transportonin çanta të dyshuara me drogë në drejtim të piramidave P. 51 dhe P. 52. Ata kontaktuan menjëherë me policinë e Igumenicës duke u vënë në monitorim të zonës.

Po bashkëpunohet me palën greke për të identifikuar dhe kapur shtetasit shqiptarë që dyshohet se u kanë shitur lëndën narkotike dy shtetasve grekë.

Top Channel