Lazio, Lotito: Milinkoviç, as për 100 mln euro. Interi, më shumë respekt për rastin De Vrij

29/05/2018 21:49

Pasi humbi De Vrij me kosto zero, Lazio duhet të bëjë tashmë llogaritë edhe në lidhje me serbin Milinkoviç, një prej “thesareve” më të çmuar që do të diskutohet shumë gjatë kësaj merkatoje verore.

Për mesfushorin serb, presidenti Lotito shprehet i vendosur e nuk bën asnjë tolerim. “Nuk mjaftojnë as 100 milionë euro për të, në gusht refuzova plot 110 mln”, thotë numri 1 i bardhekaltërve të kryeqytetit italian.

“Kur lexoj medien ‘Supermarket Lazio’ irritohem. Nuk më rezulton të kem nxjerrë ndonjë lojtar në shitje. Në të kaluarën as nuk trokisnin, vetëm hapnin portën dhe merrnin ç’të donin. Sot kërkojnë lejen”, vijon më tej Lotito.

Presidenti i Lazios ka edhe një pakënaqësi ndaj Interit, sa i përket tratativave me De Vrij.

“E aktivizuam në ndeshjen e fundit duke besuar te profesionalizmi i futbollistit. Por rezultoi që bëri gabime. Gjithsesi, trajneri ynë ka liri të plotë zgjedhjeje. Interi, me më shumë mirësjellje e respekt, duhej të evitonte vendosjen e lojtarit në vështirësi psikologjike. Nëse kontrata ishte firmosur që në janar, pse thonë që e depozituan vetëm përpara ndeshjes së fundit të Serie A?”, shprehet Lotito.

Gjithsesi, sa i përket luftës për një vend në Champions, presidenti i lacialëve e pranon. “E humbëm, është e kotë të qahemi tashmë nëse ishte e drejtë apo jo. Them me siguri të plotë se Lazio këtë sezon meritonte të kishte një vend edhe më të mirë në klasifikim. Pasi ky ishte edhe objektivi i pranuar prej të gjithëve”.

Top Channel