Loris Karius nuk po mundet të gjejë paqe, pas finales së hidhur të Champions League, ku Liverpooli u mund nga Reali i Madridit 3-1.

Portieri i “The Reds” u bë protagonisti negativ për skuadrën e tij, pasi dy nga golat e “Los Blancos”-ve u shënuan për pasojë të gafave të tij. Pikërisht për këto gabime të rënda, Karius u shënjestrua në rrjetet sociale.

Profili i tij u pushtua nga akuza të rënda, që arritën deri në kërcënime me vdekje, duke tërhequr vëmendjen e policisë britanike, me këtë të fundit që vendosi të hapë hetimet e t’i shkojë kësaj çështjeje deri në fund.

“Po hetojmë mbi disa mesazhe të publikuara në rrjetet sociale, që për ne janë shumë serioze, – thekson një prej zëdhënësve të policisë për BBC-në. – Të gjitha kërcënimet do të jenë të kontrolluara dhe të regjistruara”.

Pas gafave, lotëve dhe ndjesës në drejtim të tifozëve të Liverpoolit, për Kariusin, finalja e Kievit rrezikon të kthehet në një makth edhe më të madh. Një plagë e vështirë për t’u mbyllur, si në fushën e lojës, ashtu dhe jashtë saj.

Top Channel