Elseid Hysaj ishte njëri nga futbollistët që u shfaq në krah të trajnerit Panucci, në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Kosovën. Ai vlerësoi punën që është bërë këto ditë dhe theksoi se Shqipëria luan për fitore në çdo takim. Mbrojtësi shkodran nuk la pa përmendur edhe situatën te Napoli dhe zërat e merkatos.

Duke parë që është një miqësore dhe luhet ndaj Kosovës, a është detyrim fitorja nesër?
Mendoj që të gjithë futen në fushë për të fituar dhe njësoj edhe për ne. Kemi një grup shumë të mirë dhe çdo ndeshje e luajmë për ta fituar, pavarësisht çfarë ndodh në fushë. Edhe nesër do të kërkojmë fitoren, por të njëjtën gjë do të bëjë edhe Kosova.

Largohet Sarri dhe vjen Ancelotti. Si ndiheni për këto lëvizje?
Natyrisht që nuk më vjen mirë që largohet Sarri, pasi me të kam 6+ vite që punoj dhe e kuptoj mjaft mirë atë që kërkon në fushë. Është një trajner që i detyrohem shumë, pasi më ka ndihmuar shumë për të ecur përpara në karrierë dhe më vjen keq që nuk do të jetë më. Sa i përket Ancelottit, më duket një veprim mjaft i mirë i Napolit, pasi bëhet fjalë për një nga trajnerët më të mirë në botë, që i ka dhënë shumë futbollit dhe do të dijë të sjellë eksperiencë edhe te skuadra jonë.

Sa të vërteta janë zërat që do të ndiqni Sarrin në Londër?
Ashtu si ju, edhe unë lexoj që Hysaj do shkojë te PSG-ja, te Bayerni, te Manchesteri, etj., por deri tani mund të them se nuk ka asgjë konkrete. Përsa kohë që nuk ka asgjë konkrete, unë mbetem një futbollist i Napolit dhe jam i lumtur për këtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA